Ligji-nr.-60-2016-i-ndryshuar

Ligji-nr.-60-2016-i-ndryshuar

LIGJ

Nr. 60/2016

PËR SINJALIZIMIN DHE MBROJTJEN E SINJALIZUESVE

I ndryshuar me ligjin nr. 150/2020,datë 17.12.2020

 

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,

 

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

 

Ky ligj përcakton rregullat për sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni nga sinjalizuesit në sektorin publik e privat, mekanizmat për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe detyrimet e autoriteteve publike e të subjekteve private në lidhje me sinjalizimin.

 

Neni 2

Qëllimi

 

 

Qëllimi i këtij ligji është:
a) parandalimi dhe goditja e korrupsionit në sektorin publik e privat;
b) mbrojtja e individëve që sinjalizojnë veprimet ose praktikat e dyshuara të korrupsionit në vendin e tyre të punës;
c) nxitja e sinjalizimit të veprimeve ose praktikave të dyshuara të korrupsionit.

 

Neni 3

Përkufizime

 

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autoritet publik” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin për të drejtën e informimit.
2. “Hakmarrje” është çdo veprim, i drejtpërdrejtë ose jo i drejtpërdrejtë, ose kërcënim, i kryer nga organizata, me natyrë diskriminuese, disiplinore ose që, në një formë tjetër të padrejtë, dëmton interesat e ligjshëm të sinjalizuesit dhe që rezulton nga sinjalizimi.
3. “I sinjalizuar” janë një ose më shumë persona, ndaj të cilëve bëhet një sinjalizim, sipas këtij ligji, në lidhje me një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
4. “ILDKPKI” është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
5. “Informacion publik” ka të njëjtin kuptim të dhënë në ligjin për të drejtën e informimit.
6. “Korrupsion” është çdo veprim ose mosveprim i kundërligjshëm, sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, përfshirë edhe korrupsionin aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me to.
7. “Mbrojtje” është mbrojtja e sinjalizuesit nga hakmarrja, sipas mekanizmit të përcaktuar në kreun V të këtij ligji.
8. “Njësia përgjegjëse” është organi i posaçëm, i caktuar brenda autoritetit publik ose subjektit privat, i përbërë nga një ose më shumë punonjës të organizatës dhe i ngarkuar me detyrën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe shqyrtimin e kërkesës për mbrojtjen e sinjalizuesit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
9. “Organizatë” është autoriteti publik ose subjekti privat.
10. “Sinjalizim” është raportimi i informacionit nga ana e sinjalizuesit te njësia
përgjegjëse ose ILDKPKI-ja për veprime apo praktika të dyshuara korrupsioni, të kryera në vendin e tij të punës në autoritetin publik apo subjektin privat.
11. “Sinjalizim i brendshëm” është raportimi i kryer nga sinjalizuesi brenda njësisë përgjegjëse të organizatës, sipas nenit 10 të këtij ligji.
12. “Sinjalizim i jashtëm” është raportimi i kryer nga sinjalizuesi pranë ILDKPKI-së, sipas nenit 11 të këtij ligji.
13. “Sinjalizues” është individi, i cili aplikon ose është në marrëdhënie pune, ose ka punuar më parë pranë autoritetit publik apo subjektit privat, pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës ose kohëzgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo, që sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
14. “Subjekt privat” është personi juridik privat, sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, përfshirë tregtarin, sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
15. “Veprim ose praktikë e dyshuar korrupsioni” është një veprim ose mosveprim, fakte ose rrethana të kryera në një organizatë, për të cilat sinjalizuesi dyshon në mirëbesim, sipas këtij ligji, se mund të përbëjë korrupsion.

 

Neni4

Parimet e sinjalizimit

 

Mbrojtja e sinjalizuesve të veprimeve ose praktikave të dyshuara të korrupsionit, sipas këtij ligji, bazohet në parimet e:
a) ruajtjes së konfidencialitetit të informacionit të sinjalizimit dhe sekretit shtetëror nga njësia përgjegjëse dhe ILDKPKI-ja;
b) njohjes së identitetit të sinjalizuesit, përveç rastit kur ky ligj lejon pranimin e një sinjalizimi anonim;
c) sinjalizimit vullnetar të një veprimi ose praktike të dyshuar të korrupsionit;
ç) integritetit dhe paanshmërisë së njësisë përgjegjëse dhe ILDKPKI-së gjatë shqyrtimit të sinjalizimit;
d) zbatimit të mekanizmave të efektshëm dhe të përshtatshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitimë të sinjalizuesit;
dh) procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit në mënyrë të shpejtë dhe të besueshme.

 

 

KREU II

SINJALIZIMI

Neni 5

Sinjalizimi

 

Çdo person, i cili vihet në dijeni për veprime ose praktika të dyshuara të korrupsionit, gjatë punës ose në lidhje me veprimtarinë e tij të punës pranë organizatës, ka të drejtë të sinjalizojë këtë fakt te njësia përgjegjëse brenda organizatës ose ILDKPKI-së, sipas rastit.

 

Neni 6

Mirëbesimi i sinjalizuesit

 

Sinjalizuesit i ofrohet mbrojtja për sinjalizimin e kryer në kushtet e mirëbesimit, të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sipas kritereve të parashikuara në këtë ligj.
2. Sinjalizuesi konsiderohet se ka vepruar në mirëbesim, nëse ka shkaqe të arsyeshme për të besuar se është duke sinjalizuar një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni, si dhe:
a) nuk e dinte ose nuk kishte mundësi objektive për të ditur se informacioni i sinjalizuar nuk ishte i vërtetë ose i saktë edhe nëse më vonë rezulton se ka gabuar në lidhje me
vërtetësinë ose saktësinë e tij, ose vërtetohet nga organet kompetente se nuk është kryer një vepër penale e korrupsionit;
b) sinjalizimi nuk kryhet në mënyrë abuzive, shpifëse ose sinjalizuesi nuk mashtron mbi informacionin e sinjalizuar.
3. Sinjalizuesi prezumohet të jetë në mirëbesim, derisa nuk provohet e kundërta nga njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja, sipas rastit.

 

Neni 7

Forma dhe përmbajtja e sinjalizimit

 

1.Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht para ILDKPKI-së ose njësisë përgjegjëse dhe dokumentohet me shkrim prej tyre. Sinjalizimi përmban të paktën:
a) të dhënat e identitetit të sinjalizuesit;
b) të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;
c) përshkrimin e fakteve e të rrethanave të njohura nga sinjalizuesi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur;
ç) referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit;
d) në rastin e sinjalizimit të jashtëm, shkaqet ligjore dhe rrethanat e faktit, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, për përdorimin e mekanizmit të sinjalizimit të jashtëm.
2. Sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet, nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.
3. Pavarësisht nga ekzistenca e njësisë përgjegjëse pranë organizatës, sinjalizuesi mund të nisë një procedurë të jashtme sinjalizimi pranë ILDKPKI-së, sipas nenit 11 të këtij ligji.

 

Neni 8

Sinjalizimi në publik

 

Në rast se sinjalizuesi njofton publikisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, gëzon të drejtën e mbrojtjes, sipas këtij ligji, deri në çastin kur sinjalizimi bëhet publik.

 

Neni 9

Bashkëpunimi

 

Në zbatim të parimit të ruajtjes së konfidencialitetit, sekretit shtetëror dhe mbrojtjes së të dhënave personale, njësitë përgjegjëse bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me ILDKPKI-në për shkëmbim të dhënash, të plota dhe pa asnjë rezervë, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e një rasti të sinjalizuar kur, pavarësisht nga organizata e sinjalizuesit, të sinjalizuarit i përkasin organizatave të ndryshme.

 

KREU III

STRUKTURAT E SHQYRTIMIT TË SINJALIZIMIT

 

Neni 10

Sinjalizimi i brendshëm dhe njësitë përgjegjëse

 

  1. Pranë çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar, dhe subjekti privat, i cili ka më shumë se 100 të punësuar, caktohet një njësi përgjegjëse, e cila regjistron, heton administrativisht dhe shqyrton sinjalizimet, sipas këtij ligji.
    2. Njësia përgjegjëse mund të përbëhet nga një ose më shumë persona, sipas përbërjes dhe strukturës së organizatës, të trajnuar posaçërisht në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve.
    3. ILDKPKI-ja përcakton me udhëzim strukturën, kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimin e punonjësve të njësisë përgjegjëse të subjekteve private. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim marrëdhëniet e punës, strukturën dhe kriteret e përzgjedhjes së punonjësve të njësisë përgjegjëse në autoritetet publike.

 

Neni 10/1

 

Njësia përgjegjëse në KQZ

 

  1. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve krijohet dhe funksionon njësia përgjegjëse për marrjen dhe trajtimin e sinjalizimeve në fushën e korrupsionit aktiv dhe /ose pasiv në zgjedhje, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
  2. Njësia përgjegjëse në KQZ, në përfundim të hetimit administrativ, në rast se konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji për sinjalizimet në fushën e veprimtarisë zgjedhore, të cilat nuk përbëjnë vepër penale, vendos masë administrative me gjobë sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
  3. Nëse në përfundim të hetimit administrativ njësia përgjegjëse në KQZ arrin në përfundimin se veprimi ose praktika e dyshuar, e sinjalizuar, e korrupsionit aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje ka elementë të veprës penale, njofton menjëherë prokurorinë.

 

 

 

Neni 11

Sinjalizimi i jashtëm tek Inspektorati i Lartë i Deklarimit
dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave

 

1.ILDKPKI-ja heton drejtpërdrejt sinjalizimin për veprimet ose praktikat e dyshuara të korrupsionit në organizata, të cilat nuk kanë një njësi përgjegjëse për këtë qëllim.
2. Pavarësisht nga njësia përgjegjëse brenda organizatës, sinjalizuesi ka të drejtë të sinjalizojë veprën e dyshuar të korrupsionit tek ILDKPKI-ja në rastet kur:
a) njësia përgjegjëse nuk fillon hetimin administrativ ose përfundon hetimin në kundërshtim me nenin 14 të këtij ligji;
b) ekziston dyshimi i arsyeshëm se pritësi i sinjalizimit në njësinë përgjegjëse ose persona të lidhur me të janë të përfshirë ose kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, pasuror ose personal, në veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit. Sipas rastit, person i lidhur ka të njëjtin kuptim me përcaktimet e bëra në ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare ose ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike;
c) ka arsye të tjera të bazuara për të dyshuar në integritetin dhe paanshmërinë e njësisë përgjegjëse në shqyrtimin e sinjalizimit, sipas parimeve të këtij ligji;
ç) prova e sinjalizuesit, në lidhje me veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, mund të fshihet ose të shkatërrohet nga organizata.
3. Në rastet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, çdo hetim i njësisë përgjegjëse, nëse ka filluar, ndërpritet dhe sinjalizimi hetohet në vijim nga ILDKPKI-ja.

 

KREU IV

PROCEDURA E HETIMIT ADMINISTRATIV TË SINJALIZIMIT

Neni 12

Parimet e përgjithshme të hetimit administrativ

 

  1. Në kryerjen e funksioneve të saj, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja duhet:
    a) të veprojë me ndershmëri, paanshmëri dhe efikasitet, duke pasur parasysh interesat legjitimë të sinjalizuesit;
    b) të veprojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamja politike dhe çdo influencë tjetër e padrejtë që mund të pengojë realizimin e detyrave, sipas këtij ligji;
    c) të shmangë çdo konflikt interesi të mundshëm dhe të deklarojë menjëherë tek organizata ose ILDKPKI-ja konfliktin e interesit përpara fillimit të hetimit administrativ të një sinjalizimi;
    ç) të marrë të gjitha masat e përshtatshme për të mbrojtur dokumentacionin dhe provat lidhur me sinjalizimin nga zhdukja, fshehja, ndryshimi, falsifikimi dhe veprime të tjera, të cilat synojnë asgjësimin e tyre;
    d) të ruajë konfidencialitetin e informacionit dhe të mbrojë të dhënat në përmbajtje të çdo sinjalizimi, në përputhje me nenet 15 dhe 16 të këtij ligji;
  2. dh) të ruajë sekretin shtetëror në përmbajtje të një sinjalizimi në zbatim të ligjit.
    Gjatë procesit të hetimit administrativ, sinjalizuesi ka të drejtë të mos zbulojë burimet e informacionit.

 

 

Neni 13

Procedura e hetimit administrativ

 

1.Sipas rastit, çdo njësi përgjegjëse ose ILDKPKI-ja heton administrativisht sinjalizimin, në përputhje me procedurën e përcaktuar në këtë ligj. Për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj, njësia përgjegjëse pranë autoritetit publik dhe ILDKPKI-së zbatojnë dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.
2. Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit përfundon sa më shpejt të jetë e mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit, përveçse kur nga rrethanat kërkohet një afat më i gjatë.
3. Gjatë periudhës së hetimit administrativ, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja shqyrton dhe vlerëson pretendimet e ngritura nga sinjalizuesi në lidhje me veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit. Për këtë qëllim, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja ka të drejtë të kërkojë informacione dhe dokumente, të urdhërojë inspektime ose analiza, të mbledhë deklarata ose të pyesë persona në dijeni ose rrethanat e çështjes ose të konsultohet me ekspertë të fushave të ndryshme.
4. Në hetimin administrativ merr pjesë sinjalizuesi dhe çdo person tjetër i tretë, kur dyshohet se posedon dokumente ose ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara, përfshirë dhe të sinjalizuarin, nëse vlerësohet e nevojshme nga drejtuesi i hetimit.
5. Çdo pale pjesëmarrëse në hetimin administrativ i garantohet një proces i rregullt, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative, si dhe:
a) mund të japë deklarata me shkrim, argumente ose opinione;
b) mund të konsultohet me dosjen e hetimit;
c) ka të drejtë të dëgjohet në lidhje me pretendimet e tij.
6. Organizata ose ILDKPKI-ja duhet të vendosë në dispozicion të hetimit të dhënat, dokumentacionin dhe provat e zotëruara prej saj.
7. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja njofton sinjalizuesin për çdo masë të marrë në përgjigje të sinjalizimit jo më vonë se 30 ditë nga momenti i kryerjes së veprimit. Pavarësisht nga afati i njoftimit të parashikuar në këtë nen, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja është e detyruar t’i përgjigjet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për informacion, të paraqitur me shkrim nga sinjalizuesi, në çdo kohë, në lidhje me çështjen e sinjalizuar prej tij.
8. Nëse në përfundim të hetimit administrativ të sinjalizimit nga njësia përgjegjëse e një autoriteti publik ose ILDKPKI-ja rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën ose mund të përbëjë një shkelje administrative, sipas ligjit, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja, sipas rastit, vë në dijeni organin kompetent.
9. ILDKPKI-ja dhe organizata, në bashkëpunim me ILDKPKI-në, marrin masa të menjëhershme, të çastit dhe për aq sa është e mundur, për të parandaluar ose penguar vazhdimin e pasojave të dëmshme nga veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit të sinjalizuar.
10. Çdo organizatë, sipas udhëzimeve të ILDKPKI-së, dhe ILDKPKI-ja, miratojnë rregullore të brendshme të posaçme për procedurën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe mekanizmat e mbrojtjes së konfidencialitetit, sipas këtij ligji.

 

Neni 14

Mosfillimi dhe përfundimi i hetimit administrativ

 

  1. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja ka të drejtë të mos fillojë hetimin administrativ nëse:
    a) sinjalizimi nuk është depozituar sipas formës dhe përmbajtjes së kërkuar nga neni 7, i këtij ligji, dhe sinjalizuesi nuk korrigjon këto të meta brenda 7 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për korrigjim;
    b) sinjalizimi përmban fakte dhe rrethana që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të këtij ligji, sipas nenit 3, pika 6, të këtij ligji;
    c) kur nga përmbajtja e sinjalizimit del haptazi se nuk ka elemente të kundërvajtjes administrative ose të veprës penale.
    2. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja ka të drejtë të përfundojë hetimin administrativ nëse:
    a) gjatë hetimit rezulton se sinjalizimi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit është i bazuar. Në këtë rast, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja njofton menjëherë prokurorinë ose Policinë e Shtetit.
    b) sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, në zbatim të nenit 6 të këtij ligji.
  2. Në dosjen e sinjalizimit shënohen vendimi për mosfillimin ose përfundimin e hetimit administrativ, i arsyetuar për të gjitha shkaqet që kanë çuar në vendimmarrjen përkatëse, si dhe masat e marra në lidhje me sinjalizimin.

 

Neni 15

Konfidencialiteti

 

  1. Gjatë procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit të brendshëm ose të jashtëm, identiteti i sinjalizuesit u bëhet i ditur personave të tretë vetëm me pëlqimin e tij me shkrim.
    2. ILDKPKI-ja ose njësia përgjegjëse duhet të ruajnë në çdo kohë në mënyrë konfidenciale informacionin e lidhur me sinjalizimin, duke mos e përhapur ose transmetuar te persona të tretë brenda ose jashtë organizatës ose ILDKPKI-së, si dhe të mos e përdorin për qëllime të tjera, përveçse me pëlqimin me shkrim të sinjalizuesit ose për përmbushjen e një detyrimi ligjor.
    3. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja, në komunikimet me organizatën ku punon sinjalizuesi ose me çdo subjekt apo autoritet tjetër, privat ose shtetëror, respekton detyrimin e konfidencialitetit dhe ua komunikon informacionin e nevojshëm vetëm personave të caktuar për hetimin administrativ ose për marrjen e masave për ndjekjen e fakteve të sinjalizuara, në kuadër të një marrëveshjeje konfidencialiteti mes palëve.
    4. Çdo person, i cili merr informacion konfidencial nga njësitë përgjegjëse ose ILDKPKIja, për qëllim të këtij ligji, ka të njëjtin detyrim për përpunimin e informacionit në mënyrë konfidenciale.

 

 

Neni 16

Mbrojtja e të dhënave personale

 

1.Të dhënat personale të individëve të përfshirë në hetimin administrativ përpunohen vetëm për qëllim të këtij ligj. Në çdo rast, përpunimi i të dhënave personale kryhet sipas parimeve dhe procedurave të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Në rastet kur, në zbatimin e këtij ligji, konstatohet mosrespektim i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, çështja i referohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
3. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton me udhëzim të veçantë kushtet dhe kriteret e përpunimit dhe kohën e mbajtjes së të dhënave personale në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve, sipas këtij ligji.

 

 

 

KREU V

TË DREJTAT DHE MBROJTJA E SINJALIZUESVE

 

Neni 17

Të drejtat e sinjalizuesit

 

  1. Të drejtat dhe interesat e sinjalizuesve mbrohen në mënyrë të besueshme, të efektshme dhe të përshtatshme.
    2. Sinjalizuesi gëzon të drejtën e:
    a) konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin, gjithashtu, mundësinë e sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sipas nenit 7, pika 2, të këtij ligji;
    b) ruajtjen e konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuesit;
    c) mbrojtjes kundër hakmarrjes.
    3. Të drejtat e sinjalizuesit garantohen, sipas këtij ligji:
    a) gjatë kohëzgjatjes së procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit;
    b) pas përfundimit të procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit, me qëllim kryerjen normale të detyrave funksionale të sinjalizuesit në organizatën e tij;
    c) pas përfundimit të marrëdhënies së punës së sinjalizuesit me organizatën e tij, kur, nga rrethana të bazuara dhe të arsyeshme, sinjalizuesi ka kërkuar mbrojtjen nga ILDKPKI-ja.
    4. Çdo rregull ose marrëveshje private, në bazë të së cilës përjashtohen ose kufizohen të drejtat dhe mbrojtja e sinjalizuesit, sipas këtij ligji, është e pavlefshme. Të drejtat e sinjalizuesit kanë epërsi ndaj marrëveshjeve të konfidencialitetit.
    5. Sinjalizuesi informohet nga organizata dhe ILDKPKI-ja, në mënyrë të plotë dhe në gjuhë të kuptueshme, për të drejtat dhe mbrojtjen e ofruar nga organizata e tij dhe ILDKPKIja, sipas këtij ligji.

 

Neni 18

Mbrojtja kundër hakmarrjes

 

  1. Sinjalizuesi, i cili sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mbrohet ndaj çdo mase hakmarrëse të marrë ndaj tij nga organizata, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
    a) shkarkimin nga puna;
    b) pezullimin nga puna ose të një ose më shumë detyrave;
    c) transferimin brenda ose jashtë organizatës;
    ç) uljen në detyrë;
    d) uljen e pagës dhe/ose të shpërblimeve financiare;
    dh) humbjen e statusit dhe të privilegjeve;
    e) mosngritjen në detyrë;
    ë) heqjen e së drejtës për të marrë pjesë në trajnime;
    f) vlerësime negative në marrëdhënien e punës;
    g) forma të tjera të hakmarrjes në lidhje me punën.
  2. Çdo akt i hakmarrjes ndaj sinjalizuesit është i pavlefshëm.
    3. Nëse sinjalizuesi dëshiron të vendoset në një strukturë tjetër të organizatës, për të mbrojtur veten nga reagime armiqësore në mjedisin e tij të afërt të punës, organizata merr masat e arsyeshme dhe të përshtatshme për të lehtësuar një lëvizje të tillë. Në rast të kundërt, ILDKPKI-ja, me kërkesë të sinjalizuesit, i drejtohet organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi, për të urdhëruar autoritetin publik ose urdhëron subjektin privat të marrë të gjitha masat, sipas këtij neni. Nëse organi kompetent ose subjekti privat nuk merr masat e kërkuara nga ILDKPKI-ja, çdo person i interesuar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.

 

 

Neni 19

Procedura e hetimit të kërkesës për mbrojtje

 

  1. Sinjalizuesi, i cili pretendon se është subjekt i një akti hakmarrjeje, paraqet kërkesë për mbrojtje te njësia përgjegjëse. Njësia përgjegjëse merr menjëherë masat dhe në çdo rast jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kërkesës, vendos me akt të ndërmjetëm të arsyetuar për riparimin e pasojave të paligjshme nga akti i hakmarrjes. Në rast të shkeljes së këtij afati, kërkesa paraqitet tek ILDKPKI-ja, që vendos brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.
    2. ILDKPKI-ja heton pretendimet për hakmarrje për të përcaktuar nëse ka shkaqe të arsyeshme për të besuar që ka ndodhur, është duke ndodhur ose pritet të ndodhë një akt hakmarrjeje.
    3. ILDKPKI-ja, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së një kërkese për mbrojtje nga hakmarrja, njofton me shkrim sinjalizuesin për regjistrimin e pretendimit dhe emrin e personit pranë ILDKPKI-së, i cili do të ndjekë çështjen.
    4. Organizata, me kërkesë të ILDKPKI-së, duhet të provojë që masat e marra në dëm të sinjalizuesit janë bazuar në shkaqe të ndryshme dhe që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me sinjalizimin.
    5. ILDKPKI-ja njofton me shkrim sinjalizuesin brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për statusin e hetimit administrativ të kërkesës për mbrojtje dhe për çdo veprim procedural të ndërmarrë. Pavarësisht nga afatet e njoftimit, parashikuar në këtë nen, ILDKPKI-ja është e detyruar t’i përgjigjet çdo kërkese për informacion me shkrim, paraqitur në çdo kohë nga sinjalizuesi në lidhje me kërkesën e tij.
    6. Procedura e hetimit administrativ të kërkesës për mbrojtje përfundon sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast jo më vonë se 60 ditë nga data e regjistrimit të kërkesës.
    7. Nëse në përfundim të hetimit administrativ rezulton se është kryer një akt hakmarrjeje ndaj sinjalizuesit nga autoriteti publik, ILDKPKI-ja i drejtohet organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi, për të urdhëruar autoritetin publik për marrjen e të gjitha masave për riparimin e shkeljes së kryer. Nëse në përfundim të hetimit rezulton së është kryer një akt hakmarrjeje ndaj sinjalizuesit nga subjekti privat, ILDKPKI-ja urdhëron subjektin privat të marrë të gjitha masat për riparimin e shkeljes së kryer. Nëse organi kompetent ose subjekti privat nuk merr masat e kërkuara nga ILDKPKI-ja, sipas kësaj pike, çdo person i interesuar ose ILDKPI-ja ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.
    8. ILDKPKI-ja dhe njësitë përgjegjëse, në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga ILDKPKI-ja, miratojnë rregullore për procedurën e shqyrtimit të kërkesës së sinjalizuesit për mbrojtjen nga hakmarrja.

Neni 20

Dëmshpërblimi në rastin e hakmarrjes

 

Sinjalizuesi ka të drejtë të kërkojë në gjykatë shpërblim për dëmin e pësuar nga akti i hakmarrjes, në kuptim të këtij ligji, sipas Kodit Civil.

 

KREU VI

MONITORIMI I MEKANIZMIT TË SINJALIZIMIT

 

Neni 21

Funksionet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave

 

Përveç sa parashikohet në këtë ligj, ILDKPKI-ja ka detyrë:
a) të monitorojë dhe të nxjerrë udhëzime për mekanizmat e sinjalizimit të brendshëm dhe të jashtëm;
b) të kontrollojë funksionimin e duhur të mekanizmit të sinjalizimit të brendshëm e të njësive përgjegjëse të organizatave;
c) të konstatojë kundërvajtjet administrative, sipas këtij ligji, dhe të vendosë gjoba, në përputhje me nenin 23 të këtij ligji;
ç) të marrë dhe të hetojë kërkesat për mbrojtje ndaj masave hakmarrëse kundër sinjalizuesve dhe të garantojë mbrojtjen e sinjalizuesit nga masat hakmarrëse, sipas këtij ligji;
d) mbi bazën e raporteve vjetore të njësive përgjegjëse, të hartojë vlerësime dhe të japë rekomandime për zbatimin e këtij ligji;
dh) të ofrojë këshillim dhe mbështetje në lidhje me zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve;
e) të ndërgjegjësojë publikun për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit, si dhe të rrisë pranimin kulturor të sinjalizimit.

 

Neni 22

Raportimi

 

1.Njësia përgjegjëse zbaton detyrat e ngarkuara nga ILDKPKI-ja për lehtësimin dhe zhvillimin e procesit të sinjalizimit, si dhe i paraqet ILDKPKI-së çdo vit, jo më vonë se data 15 janar e vitit pasardhës, raport me shkrim për sinjalizimet e regjistruara, mënyrat e ndjekura për hetimin administrativ të sinjalizimeve dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
2. ILDKPKI-ja publikon çdo vit raport për zbatimin e këtij ligji. Në këtë informacion përfshihen numri i rasteve të sinjalizuara, rezultatet e rasteve, shkalla e ndërgjegjësimit dhe besimit te mekanizmat e sinjalizimit nga publiku, koha e përcaktuar për shqyrtimin e rasteve dhe zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes nga hakmarrja.

 

KREU VII

SHKELJET DHE MASAT ADMINISTRATIVE

 

Neni 23

Kundërvajtje dhe masa administrative

 

  1. Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë si më poshtë:
    a) moscaktimi i njësisë përgjegjëse nga organizata, në përputhje me pikën 1, të nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë 100 000 lekë;
    b) çdo veprim hakmarrjeje ndaj sinjalizuesit, të marrë nga organizata sipas nenit 18, të këtij ligji, përfshirë refuzimin për të vepruar sipas pikës 3, të nenit 18, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;
    c) shkelja e parimeve të hetimit të sinjalizimit nga punonjësi, sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
    ç) shkelja e detyrimit për ruajtjen e konfidencialitetit, sipas nenit 15, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 150 000 deri në 300 000 lekë;
    d) mosfillimi i hetimit ose përfundimi i hetimit administrativ nga punonjësi, në kundërshtim me nenin 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
    2. ILDKPKI-ja ose njësia përgjegjëse në KQZ ka të drejtë të konstatojë kundërvajtjet dhe të vendosë gjobën. Kundër vendimit të ILDKPKI-së ose njësisë përgjegjëse të KQZ-së mund të bëhet ankim, sipas ligjit për kundërvajtjet administrative.
    3. Të ardhurat nga gjobat kalojnë në Buxhetin e Shtetit.

 

 

KREU VIII

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 24

Nxjerrja e akteve nënligjore

 

  1. Ngarkohet ILDKPKI-ja që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 10; pikës 10, të nenit 13; pikës 8, të nenit 19; dhe shkronjës “a”, të nenit 21, të këtij ligji.
    2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji.
    3. Ngarkohet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 16, të këtij ligji.
    4. Ngarkohen subjektet private dhe autoritetet publike, në përputhje me udhëzimet e ILDKPKI-së, që, brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojnë rregulloren e parashikuar në nenin 13, pika 10, të këtij ligji.

 

 

Neni 25

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet juridike prej datës 1 tetor 2016, me përjashtim të detyrimeve të përcaktuara në nenin 10, të këtij ligji, për sinjalizimin e brendshëm për subjektet private, që fillojnë të zbatohen nga data 1 korrik 2017.

 

 

K R Y E T A R I


Ilir META

 

 

Miratuar në datën 2.6.2016

 

 

Shkarkoni Dokumentin